Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon fushatën elektorale me intensitet të lartë me kandidatët e saj në disa komuna të vendit që kanë paraqitur projektet, premtimet dhe vizionin për katërvjeçarin e ardhshëm.
Në Prishtinë, kandidati për mandat të dytë, Përparim Rama, rikujtoi transformimin në lagjen Dardania dhe tunelin nën Kurriz, të cilin e cilësoi simbol të ndryshimit urban.
Në Fushë Kosovë, Besnik Osmani theksoi rëndësinë e investimeve në shëndetësi përmes karvanit informues “Përshëndetje”.
Në Viti, Sokol Haliti, që po kërkon një mandat të ri, prezantoi investimet në infrastrukturë dhe siguri rrugore, duke i cilësuar si dëshmi të vizionit për një qytet më të sigurt dhe të zhvilluar.
Në Ferizaj, Visar Azemi zhvilloi takime me qytetarë dhe vuri në pah nevojën për një model të ri qeverisës që i adreson sfidat reale të qytetit.
Në Lipjan, Imri Ahmeti, që kërkon një mandat të ri, prezantoi projektin e rrugës “Pjetër Bogdani”, që pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të lidhë qytetin me rrugë strategjike.
Në Obiliq, Xhafer Gashi mori pjesë në fushatën “Dita Botërore e Pastrimit” ku bëri thirrje për kujdes ndaj ambientit.
Në Pejë, Gazmend Muhaxhiri kujtoi investimin prej gati 20 milionë eurosh në sistemin modern të trajtimit të ujërave të zeza që garanton standarde evropiane në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
Në Gjilan, Arbër Ismajli kritikoi qeverisjen aktuale lokale si “pushtet i intrigës” dhe u zotua për mbështetje të bizneseve dhe të rinjve, në kuadër të konceptit “Gjilani i Ri”.
Në ditën e shtatë, LDK-ja në Junik prezantoi listën e kandidatëve për Asamble, në krye me Ruzhdi Shehu.