Ndërsa fushata për zgjedhjet lokale hyn në ditën e gjashtë, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po intensifikojnë angazhimet e tyre nëpër komunat e vendit.
Në Prishtinë, kryetari aktual Perparim Rama, kandidat për mandat të dytë, thekson transformimin e qytetit përmes ndërtimit të rrugëve kryesore.
Ai njoftoi gjithashtu nisjen e projektit “Park & Ride”, që synon lehtësimin e trafikut dhe mbrojtjen e mjedisit në kryeqytet.
Në Deçan, kandidati Jeton Mushkolaj gjatë vizitës në Strellcin e Epërm premtoi se do të jetë prioritet në investime dhe do të përfshihet me kuadro të dedikuara në kabinetin qeverisës komunal.
Në Gjilan, Arber Ismajli thekson rëndësinë e mbështetjes së artit dhe kulturës si shtylla kryesore të zhvillimit lokal, duke premtuar përkrahje të veçantë për krijuesit dhe artistët.
Në Lipjan, kryetari aktual Imri Ahmeti premtoi fillimin e projekteve të reja rrugore që do të përmirësojnë infrastrukturën dhe qarkullimin në qytet.
Në Obiliq, Xhafer Gashi shfaq ndryshimet pozitive me rehabilitimin e Qendrës Kulturore, duke përmendur përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për komunitetin.
Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj premtoi krijimin e “Zonave Kreative” që do të ofrojnë hapësira pune për të rinjtë dhe artistët.
Kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti, kandidat për mandat të dytë, premton të vazhdojë mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e ekoturizmit.
Ndërsa Ilir Ferati në Istog, gjatë vizitës së familjes Rugova, nënvizoi rëndësinë e trashëgimisë dhe përkushtimit të LDK-së në zhvillimin politik dhe shoqëror të komunës, duke garantuar se rrugëtimi për një Istog më të mirë do të vazhdojë fuqishëm.