-0.9 C
Pristina
Tuesday, February 3, 2026

Dietologët tregojnë se a janë të shëndetshme ëmbëlsirat me proteina

Protein bars apo “ëmbëlsirat me proteina” janë kthyer në një ushqim që konsumohet shumë shpesh.

Vitin e kaluar, amerikanët shpenzuan rreth 50 miliardë dollarë për ushqime me proteina dhe kjo shifër pritet të dyfishohet deri në vitin 2032. Influencuesit dhe kompanitë janë duke i nxitur njerëzit të konsumojnë gjithnjë e më shumë proteina, shpesh në sasi që zakonisht u nevojiten vetëm bodybuilderëve.

Por sa të shëndetshme janë vërtet protein bars, sidomos kur shumë prej tyre përmbajnë sheqer dhe përbërës artificialë?

Për ta kuptuar më mirë këtë trend, The Guardian ka biseduar me Julia Zumpano, dietologe në Cleveland Clinic dhe Amy Stephens, dietologe sportive në Universitetin e New Yorkut.

Zumpano ka thënë se përpiqet t’i shmangë, por i përdorë në raste të veçanta.

“Përpiqem ta minimizojë përdorimin e protein bars, por janë të dobishme për udhëtime ose kur nuk kam mundësi të ha ushqim të vërtetë. Mund të konsumoj një herë në javë ose çdo dy javë”, ka thënë ajo.

Dieotologia ka shtuar se ka pak protein bars që i konsideron relativisht të pranueshme.

Ndërsa Stephens thotë se zakonisht nuk i konsumon fare.

“Unë përpiqem t’i marr të gjitha vlerat ushqyese nga ushqimi i vërtetë. Ha kos, mish pule, peshk, djathë, vezë dhe bishtajore. Nuk i numëroj gramët e proteinës, vetëm sigurohem që çdo vakt të ketë proteina”, ka thënë ajo.

Çfarë përbërësish duhet të kërkojmë te një protein bar?

Amy Stephens këshillon të shikohen përbërës të njohur.

“Kërkoni për ushqime që ekzistojnë realisht, si tërshëra, arrat dhe farat, jo produkte që mbështeten vetëm në proteina të izoluara ose pluhura”, ka thënë ajo.

Zumpano ka thënë se i shmangë ëmbëltuesit artificialë, ngjyrat, alkool sheqeri apo i njohur ndryshe si poliol.

“Dua përbërës që mund t’i lexoj dhe t’i kuptoj. Nëse dikush donë të hajë një protein bar çdo ditë, atëherë duhet të jetë shumë më i kujdesshëm me përbërjen”, ka thënë ajo.

Dietologia ka shtuar se në disa raste, si në një pompë benzine, një protein bar mund të jetë zgjedhje më e mirë sesa patatinat.

“Nuk është ideale, por mund të jetë alternativa më e mirë në atë moment”, ka thënë dietologia.

Cilat janë shqetësimet nga konsumimi i shpeshtë?

Sipas Zumpanos, ëmbëltuesit artificialë mund të rrisin oreksin dhe dëshirën për sheqer.

“Në sasi të mëdha, ata mund të dëmtojnë florën e zorrëve. Disa studime tregojnë se alkoolët e sheqerit (polioli) lidhen me rritje të rrezikut për sulm në tru dhe mpiksje gjaku”, ka thënë ajo.

Stephens ka theksuar se një dietë e përqendruar vetëm te proteina krijon çekuilibër.

“Njerëzit kanë frikë nga karbohidratet, por pa to vjen lodhja, mungesa e energjisë dhe rënia e performancës fizike”, ka thënë ajo.

Sa proteina na duhen në të vërtetë?

Stephens ka shpjeguar se sasia varet nga aktiviteti fizik.

“Atletët e qëndrueshmërisë kanë nevojë për rreth 1.4 deri në 1.7 gramë proteina për kilogram të peshës trupore. Ata që bëjnë ushtrime për forcimin e muskujve mund të shkojnë deri në 2 ose 2.2 gramë, por kjo vlen vetëm për grupe shumë specifike”, ka thënë ajo.

Dietologia ka paralajmëruar se shumë ushqime të pasura me proteina, sidomos mishi i kuq, përmbajnë yndyra të ngopura që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës.

Zumpano mendon se shumica e njerëzve tashmë marrin mjaftueshëm proteina.

“Problemi i vërtetë është mungesa e fibrave. Shumica e amerikanëve nuk marrin sasinë e nevojshme të fibrave”, ka thënë ajo.

Kur u pyet për protein bars ose fibra në formë suplementi, ajo ka thënë se konsumon ushqim të vërtetë.

“Ha ushqim të vërtetë. Fibrat vijnë nga frutat, perimet, tërshëra, arrat, farat, avokadoja dhe zarzavatet”, ka thënë ajo.

Zumpano ka shtuar se protein bars nuk ofrojnë shumë lëndë ushqyese të rëndësishme.

“Kur zëvendëson mishin, peshkun ose vezët me një ‘ëmbëlsirë me proteina’, humb hekurin, vitaminat B, zinkun dhe omega-3”, ka thënë ajo.

Sipas dietologeve, protein bars mund të konsumohen herë pas here, por jo si zëvendësim i përditshëm i ushqimit.

Ato këshillojnë të lexohen me kujdes përbërësit dhe të fokusohemi më shumë te ushqimi i freskët dhe natyral.

“Çdo gjë në moderim, por baza duhet të jetë ushqimi i vërtetë”, ka përfunduar Zumpano./koha.net

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA