Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka vazhduar të dëgjohet dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, e i cili dëshmitarë dëshminë e kishte filluar në masa mbrojtëse më 27 shkurt
Meqenëse Prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, me kundërpyetje po vazhdon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.
Ky dëshmitar është staf i Prokurorisë, dhe u pyet nga avokatja se sa ka njohuri për këtë çështje gjyqësore.
Ai mohoi se ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore. Mirëpo, tha se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje e po ashtu edhe ato të çështjes së Thaçit për krime lufte.
Pas kësaj, u kalua në seancë private për publikun me kërkesën e avokates Menegon.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.






