Përgatiti: Driton Sadiku
Rreth 50 mijë banorë më shumë rezulton t’i ketë Prishtina tani, sesa 13 vjet më parë kur u bë regjistrimi i popullsisë.
Kështu të paktën bëhet e ditur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në ditën e fundit të procesit të regjistrimit, ku figurojnë të regjistruar rreth 250 mijë qytetarë.
Mirëpo, shifra aktuale befasoi udhëheqësinë e Komunës së Prishtinës, pasi ajo priti numër më të lartë të banorëve.
“Kemi pritë që numri i banorëve të jetë më i madh, sepse ne jemi këtu çdo ditë edhe e shohim çfarë numri të makinave, të mbeturinave edhe sa numër të banorëve kemi në përgjithësi, andaj pritjet kanë qenë më të larta. Një gjë që ka ndodhë është se shumë prej rezidentëve që jetojnë në Prishtinë gjatë javës e shkojnë në vikend në vendlindje, janë regjistruar në vendlindje dhe ky është një gabim”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.
Të njëjtin mendim ka edhe demografi Besim Gllopeni, teksa shton se këtu ka ndikuar edhe ikja e qytetarëve në vendet perëndimore.
“Shumica e qytetarëve që vijnë nga komunat e tjera akoma nuk janë regjistruar si qytetarë të Prishtinës dhe kjo natyrisht që ka efekte shumëdimensionale, si për qytetarët ashtu edhe për institucionin. Prishtina sillet rreth 250 mijë banorë, kjo edhe për faktin që numri i popullsisë gjithmonë po shkon duke rënë për shkak të faktorëve mekanikë që janë migrimet”, tha Gllopeni.
Sidoqoftë, nga komuna thonë se do të penalizohen përsëri, veçanërisht tek ndarja e buxhetit për komuna.
“Penalizimi në fakt është me miliona euro, kështu që ke edhe arsimtar sa mundemi me angazhu, edhe mjek edhe punëtor të ndërmarrjeve publike e administratës të gjitha na varen nga regjistrimi i popullsisë”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.
Sipas regjistrimit të 2011-tës, Prishtina kishte 198.897 banorë të regjistruar.