Sot (e enjte) zhvillohet një nga ndeshjet më të veçanta për futbollin shqiptar, ku Drita dhe Shkëndija takohen në kuadër të xhiros së katërt të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Dueli do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.
Drita e Zekirija Ramadanit ka treguar formë solide, si në kampionat ashtu edhe në Evropë, duke grumbulluar dy barazime dhe një fitore në tri ndeshjet e para të grupit. Gjilanasit shihen të motivuar dhe të vendosur ta vazhdojnë këtë seri pozitive me një rezultat tjetër të favorshëm.
Në kampin tjetër, edhe Shkëndija po shfaq qëndrueshmëri në paraqitjet evropiane, me një fitore dhe një barazim në dy takimet e fundit. Skuadra e Jeton Beqirit udhëton në Prishtinë me ambicie të qarta për të marrë pikë.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, pasi ndeshja vjen vetëm një ditë para festës së 28 Nëntorit. Tifozë nga të gjitha trevat shqiptare, veçanërisht nga Gjilani dhe Tetova, pritet të mbushin shkallët e stadiumit, duke e bërë këtë sfidë akoma më emocionuese. /ATVLIVE.TV







