PËRGATITI: DONISA FAZLIU
Ura që lidh fshatin Plemetin dhe qytetin e Obiliqit, tash e disa muaj është dëmtuar. Derisa qytetarët përdorin rrugë alternative për qarkullim, sipas tyre, qarkullimi është i vështirë. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës nuk tregoi se kur pritet të rregullohet ky problem.
“Kjo është rruga alternative e cila po shfrytëzohet nga banorët e fshatit Plemetin, për t’u lidhur me qytetin e Obiliqit, kjo pasi që ura që gjendet në këtë fshat është dëmtuar tash e disa muaj”.
Përdorimi i rrugës alternative qytetarëve u shkakton telashe, meqë i dëmton veturat.
“Është shumë problem sepse përmes urës nuk mundemi me kalu dhe shumë gropa dhe veturat po prishen, po bëhen aksidente”.
“Mu m’u ka prish këtu një herë vetura, gomat e veturës janë dëmtuar, është më mirë me rregullu urën se në këtë pjesë po prishen veturat”.
Kjo rrugë alternative, po ashtu, po shkakton tollovi në komunikacion.
“Problem po sjell kjo, sytë janë për me pa. Po e zgjatë kohën për me kalu në këtë rrugë alternative, për shkak se po kemi problem m’u kthy këtu.”
Kjo urë e cila është dëmtuar tash e disa muaj, është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, por ky institucion nuk është përgjigjur se kur pritet të rregullohet ura.
Ndërkaq, Komuna e Obiliqit i tha televizionit se do të fillojë vetë të bëjë intervenime në rregullimin e saj.