Prodhimet bujqësore shtrenjtohen në Kosovë

Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë kanë shënuar rritje prej 1.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në kuadër të Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimeve në Bujqësi për TM3 2026.
Reklamë
Sipas ASK-së, rritja është vërejtur si te prodhimet bimore, ashtu edhe te ato blegtorale. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore është rritur për 0.8 për qind, ndërsa ai i prodhimeve blegtorale për 3.1 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.
Për përpilimin e indeksit, prodhimet bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhime bimore dhe prodhime blegtorale.
Në grupin e prodhimeve bimore përfshihen drithërat, bimët foragjere, perimet, patatet dhe pemët, ndërsa te prodhimet blegtorale bëjnë pjesë blegtoria dhe produktet e saj.
Në kuadër të blegtorisë, çmimet janë mbledhur për katër kategori kafshësh: gjedhe, dele, derra dhe pula. Për këto kategori, çmimet janë përcaktuar në bazë të peshës së gjallë të kafshëve.
Ndërkaq, te prodhimet blegtorale janë përfshirë edhe qumështi, vezët dhe mjalti.
ASK bën të ditur se të dhënat janë mbledhur në tregje, ferma dhe pika të tjera të grumbullimit të prodhimeve bujqësore. Çmimet janë llogaritur në euro, ndërsa njësitë matëse të përdorura janë kilogrami, litri dhe copa.
Reklamë







