Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka komentuar fitoren 2-0 të “Bianconerëve” ndaj Pafosit, duke e cilësuar atë si një triumf të rëndësishëm, por të shoqëruar me shumë pasiguri. Sipas tij, skuadra e Massimiliano Allegrit po përballet me “peshën e së kaluarës” dhe një presion të madh psikologjik që vazhdon t’i ndikojë lojtarët.
Juventusi siguroi tri pikë falë golave të Weston McKennie dhe Jonathan David në pjesën e dytë, por gjatë 45 minutave të para skuadra qipriote krijoi mundësi të rrezikshme dhe mund të kishte kaluar në epërsi. Edhe Fabio Capello, i pranishëm në panelin analitik, theksoi se Juventusi kishte “pak fat” në anën e tyre në këtë ndeshje të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.
Duke folur për Sky Sport Italia, Del Piero u ndal tek ngarkesa psikologjike dhe transformimi i skuadrës pas sezonit të kaluar:
“Pesha e së kaluarës, në aspektin e sukseseve, është gjithmonë aty. Por ekziston edhe pesha e së kaluarës së afërt. Kjo skuadër është krijuar mbi atë që ndodhi sezonin e kaluar, me disa ndryshime të mëdha te lojtarët kyç.”
Ai shtoi se largimi i personaliteteve të forta në ekip dhe afrimi i lojtarëve më të rinj ka krijuar vështirësi të reja:
“Ambienti i Juventusit nuk është për këdo. Është kompleks. Kemi parë lojtarë që në klube të tjera luajnë më të lirshëm, por këtu presioni është i përditshëm dhe ndikues.”
Del Piero shprehu shqetësim edhe për mungesën e stabilitetit taktik dhe konkurrencën e brendshme që po përjeton skuadra:
“Fitore e rëndësishme, por çdo ndeshje është në prag të rrezikut. Tani duhet të shkojnë në Bologna, mkush e di çfarë ndodh? Ka emergjencë në mbrojtje, ka ndryshime të shpeshta, mungon qartësia taktike. Përveç Yildizit, asgjë nuk është e garantuar.”
Pas dy fitoreve radhazi në fazën e ligës së Champions League-s, Juventusi renditet në vendin e 17-të me 9 pikë, dhe i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin në fazën e play-off-it.
Në janar 2026, “Bianconerët” i presin dy ndeshje kyçe: fillimisht ndaj Benficës, në Torino, e më pas udhëtimi vendimtar në Monaco, sfida që do të përcaktojë fatin e tyre në garën më prestigjioze evropiane për klube.






