Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur për strategjinë e klubit katalanas në merkato, duke theksuar se nuk është e domosdoshme të afrohet një sulmues klasik.
Në një deklaratë për mediat spanjolle, ai u shpreh se Barça mund të funksionojë edhe pa një “numër 9” tradicional, duke përmendur si shembull suksesin e PSG-së në Ligën e Kampionëve.
“Nuk ka nevojë të jemi të fiksuar pas transferimit të një sulmuesi. Është e mundur të luash pa një ‘9’ të pastër. PSG fitoi Ligën e Kampionëve pa pasur një sulmues qendror,” – u shpreh Deco.
Drejtori sportiv shtoi gjithashtu se nuk është koha për të folur për afrime, pasi skuadra aktuale po zhvillon mirë procesin e saj të rindërtimit dhe fokusin e ka tek stabiliteti dhe performanca.
Deklarata e tij vjen në një periudhë kur në media po përfliten disa emra si objektiva të mundshëm për Barcelonën, mes tyre Alexander Isak, Santiago Giménez dhe Julián Álvarez – por me këto fjalë, Deco duket se e ka qartësuar se merkatoja verore nuk është prioritet i menjëhershëm për klubin katalanas.







