Mesfushori i Arsenalit, Declan Rice, është shpallur fitues i çmimit “Lojtari i Vitit” nga Shoqata e Tifozëve të Futbollit (FSA) për vitin 2025.
Ceremonia e Çmimeve FSA u mbajt të hënën mbrëma në Londër, në një event ku morën pjesë figura të shumta të futbollit anglez. Me mbi 400,000 vota të hedhura, Çmimet FSA konsiderohen si platforma më e madhe e ndarjes së çmimeve të bazuara ekskluzivisht në votën e tifozëve në Angli dhe Uells.
Rice triumfoi në konkurrencë të fortë, duke lënë pas yje të Premier League si Erling Haaland (Manchester City), Antoine Semenyo (Bournemouth), Jean-Philippe Mateta (Crystal Palace), Moisés Caicedo (Chelsea) dhe Ryan Gravenberch (Liverpool).
“Është një privilegj i madh të marr çmimin ‘Lojtari i Vitit’ nga FSA, sidomos duke parë lojtarët me të cilët isha në garë”, u shpreh Rice. “Të vlerësohem nga tifozët dhe të marr mbështetjen e tyre për të fituar këtë çmim është diçka vërtet e veçantë. I falënderoj të gjithë pa përjashtim.”
Ai shtoi se suksesi i skuadrës është po aq i rëndësishëm sa ai individual:
“Si ekipi i meshkujve ashtu edhe ai i femrave, jemi vlerësuar në shumë mënyra. Ky është drejtimi ku duam të shkojmë – të fitojmë brenda dhe jashtë fushës.”
Me këtë triumf, 26-vjeçari bëhet lojtari i dytë i Arsenalit që e fiton këtë çmim, pas Alexis Sanchez, i cili u shpall fitues në vitin 2015. /ATVLIVE.TV







