Ylli portugez Cristiano Ronaldo shkroi një faqe të re në historinë e futbollit, duke shënuar dy gola në pjesën e parë të ndeshjes kundër Hungarisë. Me këto gola, ai përmbysi avantazhin e Szalai dhe i dha Portugalisë epërsinë 2-1.
Me këtë dopietë, kapiteni i Portugalisë arriti shifrën rekord prej 41 golash në kualifikimet për Kupën e Botës, duke kaluar sulmuesin guatemalas Carlos Ruiz, i cili kishte 39 gola.
Në podiumin e golashënuesve më të mirë në kualifikime qëndron edhe Lionel Messi, me 36 gola, duke mbajtur vendin e tretë në këtë renditje historike.
Nga futbollistët evropianë, përveç Ronaldos, në listën e 25 më të mirëve janë edhe emra të njohur si Robert Lewandowski me 33 gola, Edin Džeko me 29, Andriy Shevchenko me 26, Harry Kane me 23 dhe Memphis Depay me 22 gola.
Përndryshe, 40 vjeçari me Kombëtaren Portugeze numëron 225 ndeshje, ku ka shënuar 143 gola dhe ka asistuar në 45 të tjerë.
Me klube ai ka arritur në 1060 ndeshje, ku ka shënuar 799 gola dhe ka kontribuar në 257 të tjerë. /ATVLIVE.TV