Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, është larguar nga grumbullimi i kombëtares belge dhe është kthyer në Madrid për të vazhduar trajtimin pas një lëndimi muskulor.
Federata e Futbollit të Belgjikës njoftoi të martën se Courtois iu nënshtrua disa testeve mjekësore nën mbikëqyrjen e stafit të saj, të cilat konfirmuan dëmtimin e pësuar fundjavën e kaluar.
Në komunikatën zyrtare të kombëtares thuhej:
“Thibaut Courtois iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë pasdite nga stafi mjekësor i RBFA. Ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare dhe do të kthehet në klubin e tij për trajtim të mëtejshëm.”
Lëndimi ndodhi gjatë barazimit 0–0 të Real Madridit kundër Rayo Vallecanos, dhe sipas raportit të klubit madrilen, portieri belg ka pësuar dëmtim në muskujt e gjatë të kofshës së djathtë.
Edhe pse Real Madridi kishte kryer ekzaminimet fillestare, stafi mjekësor belg kërkoi analiza shtesë, të cilat konfirmuan të njëjtin rezultat.
Synimi është që 33 vjeçari të rikuperohet plotësisht dhe të jetë gati në ndeshjen e La Ligës kundër Elches, më 23 nëntor. /ATVLIVE.TV







