3.1 C
Pristina
Saturday, December 27, 2025

Cigaret elektronike u shiten edhe fëmijëve nëpër shkolla? Spahija: Mosrregullimi i ligjit po shfrytëzohet prej tregtarëve

Ndonëse kanë kaluar vite prej se ka filluar shitja dhe konsumimi i cigareve elektronike, ende nuk ka një ligj që i lejon apo ndalon ato. Mosrregullimi i ligjit për këtë çështje sipas drejtorit të Aleancës për të Ardhmen e Kosovës pa Duhan, Shkumbin Spahija po shfrytëzohet nga tregtarët, të cilët nuk e kanë problem që ato ua shesin edhe të miturve.

Përveç që edhe të miturit zgjedhën si “klientë” për shitje të cigareve elektronike, Spahija në një intervistë për Ekonomia Online tha se ato po iu shiten fëmijëve nëpër shkolla.

“Shitja e cigareve elektronike apo vape nuk është e rregulluar me ligj dhe kjo po shfrytëzohet nga tregtarët nga ata të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga vape duke ju shitur të rinjve pavarësisht moshës së tyre dhe fëmijëve nëpër shkolla dhe për këtë çështje ka pasur disa përpjekje që ta adresojnë në draftin e projektligjit për kontrollin e duhanit dhe produkteve të nikotinës. Mirëpo nuk ka arritur që të miratohet në parlament ende për shkak të ngërçit politik që e patëm por është me rëndësi të thuhet qartë dhe zëshëm që produktet e vape apo cigaret elektronike përmbajnë substanca të cilat janë substanca toksike dhe kanë potencial të shkaktojnë kancer. Përveç tyre janë produktet të cilat kanë potencialin të shkaktojnë një varësi të lart sidomos tek fëmijët dhe tek të rinjtë dhe mosadresimi i kësaj çështje poashtu paraqet një dështim institucional ndërsa adresimi i kësaj çështje ku do të parandalohet konsumimi i këtyre produkteve nga të rinjtë është investim i rëndësishëm në shëndetin publik në të ardhmen dhe në shëndetin e popullatës”, tha ai.

Një problematik tjetër është edhe pirja e duhanit në ambientet e mbyllura, ndonëse një gjë e tillë është e rregulluar dhe me ligj, por që i njëjti zbatim nuk gjen në praktikë.

“Jo definitivisht nuk është në përputhje me ligjin, paraqet shkelje të qartë të dispozitave ligjore të ligjit për kontrollin e duhanit dhe sipas të cilit ndalohet pirja e duhanit në vende publike të mbyllura. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se kjo është shndërruar në dukuri normale dhe dora institucionale apo veprimi i autoriteteve zbatuese përgjegjëse për zbatimin e ligjit nuk vërehet fare. Pra çështja e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit ka mbetur në dorën e pronarëve të lokaleve gastronomike. Meqenëse ekziston një ligj, kjo më nuk mund të konsiderohet vetëm çështje e qytetarëve por mund të konsiderohet si një dështim institucional për zbatimin e këtij ligji. Ne kemi dashur të tërheqim vëmendjen për këtë dukuri shqetësuese dhe t’i ftojmë të gjithë ata që po garojnë në garë për pozitën e deputetit dhe partitë politike për të marr qeverisjen që ta shohin me shqetësim këtë çështje pasi që duhani është shkaktari i parandalueshëm i sëmundjeve jo-ngjitëse duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Nëse e shikoni raportin e progresit të vitit të fundit numri më i madh i vdekjeve në Kosovë është për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe duhani është shkaktari i parë dhe kryesor i këtyre sëmundjeve. Prandaj një investim në parandalimin e pirjes së duhanit do të thoshte një investim në uljen e jo vetëm të barrës shëndetësore por edhe barrës ekonomike për qytetarët e këtij vendi”, theksoi ai.

Sa i përket kontrolleve nga institucionet përgjegjëse, Spahija tha se monitorimi është në nivel të ulët.

“Jo kontrollet janë shumë të pakta, monitorimi është në një nivel shumë të ulët. Ju e keni parë pothuajse në të gjitha vendet publike konsumohet duhan pa përjashtim dhe është shëndrruar në një dukuri normale. Ka pasë disa fushata të inspektimeve dhe të monitorimeve por të cilat kanë qenë vetëm hot-dog dhe për një kohë të shkurtër për të pasur sukses monitorimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe të bëhet në mënyrë sistematike, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur”, shtoi ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në shtator të vitit 2023 për shitjen e cigareve elektronike tha se autoritetet duhet “të ndalojnë shitjen e nikotinës dhe produkteve të duhanit pranë Shkollave”, si dhe të ndalojnë përdorimin e tyre në kampus.

Ndërkaq nga 22 maji i vitit 2013 në Kosovë është në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit me të cilin pirja e duhanit ndalohet tërësisht në: Hapësira të mbyllura publike; Hapësira të punës; Mjete të transportit publik; Vendet e lojërave për fëmijë; stadium, arenë, apo hapësirë për çfarëdo shfaqje. Gjithashtu, ndalohet edhe: Ekspozimi i duhanit në pikat e shitjes dhe Pranimi i kontributeve vullnetare nga industria e duhanit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA