Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT, gazetari i ATV-së Artan Hajdaraj, tregoi se tani situata në Mitrovicën e Veriut është e qetë, ndërsa ende vazhdojnë të qëndrojnë në rrugën kryesore gurët me të cilët protestuesit kanë gjuajtur pas lajmit arrestimin e Milun Milenkovicit.
“Tani situata në Mitrovicën e Veriut te Lagjja e Boshnjakëve ku është edhe pika më e largët në të cilën mund të afrohemi pas tensionimit të situatës, tani për momentin mund të themi se është e qetë e ndërkohë protestuesit serbë që ishin të vendosur pikërisht në pjesën lartë, disa metra larg veturës së policisë, e cila e ndalon qarkullimin për të hyrë më thellë në Mitrovicën e Veriut, protestuesit janë larguar, por ndërkohë në rrugën kryesore ende vazhdojnë të qëndrojnë gurët me të cilët kanë gjuajtur protestuesit serbë të cilët janë mobilizuar menjëherë pas lajmit për arrestimin e Milun Milenkovicit”, tregoi Hajdaraj.
Ai tregoi se veturat e njësisë speciale të Policisë ende vazhdojnë të qëndrojnë në Mitrovicën e Veriut, por pas fillimit të hedhjes së gurëve nga ana e protestuesve, mbase edhe në dakordim me ndërkombëtarët, janë tërhequr për në pikën më të largët të Lagjes së Boshnjakëve.