Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në emisionin A LIVE, ka dhënë më shumë detaje takimet e djeshme të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me liderët e BE-së.
Ai thotë se, plani i propozuar nga SHBA dhe BE, i cili është pranuar nga kryeministri Kurti, ende vazhdon të mbetet misteriaoz dhe krejt ajo që dihet për të, është se bëhet fjalë për një ‘model modern evropian’.
“Kryeministri Kurti e ka pranu këtë draft që është paraqitur, që kryeministri e quan draft për menaxhimin e komunitetit serb që është pika e 7 e lidhur me nenin 10, pastaj që rrjedhin obligimet nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mund të ketë ndoshta ndonjë model të kombinuar, mund të ketë ndoshta ndonjë emër tjetër që i përshtatet për të përmbushur obligimet nga marrëveshja e ratifikuar e vitit 2013. Mbetet të shihet se si do të ecën. Kryeministri Kurti e ka pranuar si bazë të mirë dhe thuhet se do të ketë diskutime ende për këtë model të asociacionit që BE-ja thotë se është model modern evropian, për të vënë në pah se nuk do të ketë modele ballkanike që përfshihen në këtë propozim”, tha gazetari Jashari.
Ai përmend dy modele si opsione të mundshme, bëhet fjalë për modelin e komunitetit suedez në Finlandë dhe atë të komunave me shumicë Gjermane në Belgjikë.
“Përmbajtja e planit mbetet ende misterioze, ndonëse janë përmendur disa modele të mundshme si opsione në diskutim, është përmendur modeli i komunitetit suedez në Finlandë që, siç e ka shpjeguar edhe profesori Arsim Bajrami, është më shumë një model kulturor, një lloj autonomie kulturore/edukative, ku komuniteti suedez në Finlandë gëzon të drejtat e arsimimit në gjuhën e tyre, të punës në institucione, të marrjes së vendimeve dhe gjithçka në institucione ne gjuhën suedeze krahas gjuhës Finlandeze dhe modeli i komunave me shumicë Gjermane ne Belgjikë që janë të vendosura në mes të Gjermanisë, Holandës, Luksemburgut, e që për dallim prej Kosovës, përbëjnë një territor më kompakt, pra janë më të ngjitura afër njëra-tjetrës”, shpjegoi Jashari.
Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: