Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka lavdëruar në superlativ mbrojtësin e majtë të Paris Saint-Germain, Nuno Mendes, duke e quajtur “ndoshta lojtarin më të mirë në botë për momentin”.
Deklarata e tij u bë gjatë fjalës në ‘Portugal Football Summit’, ku Ceferin theksoi se futbollistët në mbrojtje shpesh nuk marrin vlerësimin që meritojnë, krahasuar me ata që shënojnë gola.
“Nuno Mendes është fantastik, ndoshta lojtari më i mirë aktualisht, por pozicioni i tij nuk vlerësohet aq sa ai i atyre që shënojnë,” – u shpreh Ceferin.
Presidenti i UEFA-s përmendi gjithashtu disa prej talenteve më të mëdha të Portugalisë, si Joao Neves, Vitinha dhe Ruben Dias, të cilin e cilësoi si qendërmbrojtësin e tij të preferuar.
“Janë Joao Neves, Vitinha, qendërmbrojtësi im i preferuar Ruben Dias… por nuk dua të përmend shumë emra, ndoshta po harroj ndonjë,” – shtoi ai me humor.
Ceferin u ndal edhe te suksesi i jashtëzakonshëm i futbollit portugez, duke theksuar se përveç talentit dhe punës së madhe, Portugalia ka “diçka më shumë” që e bën unike.
“Ajo që bën Portugalia është mbresëlënëse. Nuk është vetëm talent dhe punë, edhe të tjerët e bëjnë këtë. Ka diçka më shumë – shpresoj ta zbuloj para se të largohem nga presidenca e UEFA-s,” – përfundoi ai.
Në të njëjtin event, Nuno Mendes, bashkë me bashkëkombasit e tij Gonçalo Ramos dhe Vitinha, u nderuan në ceremoninë e ‘Portugal Football Globes 2025’ për suksesin historik me PSG-në, pas triumfit në Ligën e Kampionëve.







