Përgatiti: Donisa Fazliu
Rreth 736 operacione të planifikuara dhe 352 operacione urgjente, janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, vetëm gjatë vitit 2023.
Operacionet më të shpeshta në këtë klinikë, janë ajo e bruhit dhe e zorrës qorre.
pediatri i kësaj klinike, Dëfrim Koçinaj, thotë se është rritur numri i shërbimeve, për dallim nga vitet e kaluara.
“Gjatë viteve pandemisë ka pasur rënie të dukshme të operacioneve të realizuara, por pastaj jemi rikthyer në suaza të normales. Kemi shtuar intervenimet me kirurgji minimale invazive dhe me endourologjinë, ofrojmë shërbime me gamë shumë të gjerë se vitet kaluese. Ditët që punojmë me kapacitetin tonë normal që është dy salla paradite prej të hënës deri të premten, mund të kryhen mbi 30 operacione në javë, shto edhe operacionet e urgjencës që mund të jenë si një mesatare dy intervenime urgjente”, tha Koçinaj.
Koçinaj tha se kanë mungesë të stafit mjekësor, derisa sipas tij, pjesa e shërbimit urgjent, ka nevojë për një projekt të ri.
“Sigurisht që kemi mungesë të stafit, që lidhet me një dukuri të përgjithshme në mjekësinë kosovare, por jo vetëm. Për shembull një numër i anesteziologëve në një farë mase e kanë liruar institucionin publik dhe kanë shkuar nëpër spitale private. Ndërsa pjesa e shërbimit urgjent 24 orë ka nevojë për një projekt të ri, është spital i ri ka nevojë për organizime të reja, hapësirat i kemi. Besoj se së shpejti do ta funksionalizojme pjesën e emergjencës 24 orëshe për të gjitha patologjitë urgjente në moshën pediatrike”, tha Koçinaj.
Ndërkaq, Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve është në pritje të pajisjes me vertikalen e gastroskopit dhe koloskopit, për ekzaminimin e traktit tretës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: