Britania shton trupat në Kosovë, tani KFOR i ka rreth 5 mijë ushtarë

Përgatiti: Fatlum Jashari

Nga 41 ushtarë sa kishte në Korrik, Britania e Madhe do të ketë më shumë se 600 sish në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

Këtë e konfirmoi Ministria Britanike e Mbrojtjes, mbrëmjen e së dielës, pas zhvillimeve në veri të vendit.

“Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit, në ditët në vijim për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, të cilët tashmë janë në vend si pjesë e një stërvitjeje vjetore”, thuhet mes tjerash në njoftim.

“Zgjerimi i mbështetjes tonë për Forcën e Kosovës – KFOR thekson përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha shefi i stafit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.

Ky kontingjent britanik do ta çojë në më shumë se pesë mijë numrin e përgjithshëm të ushtarëve të KFOR-it.

Me rreth 700 trupa, kryesisht nga Turqia, të cilët u vendosën në Kosovë në Qershor, vetëm këtë vit KFOR-i ka shtuar kapacitetet për rreth 1300 ushtarë.

Në misionin e KFOR-it, sipas rezolutës 1244, aktualisht janë të angazhuara 25 vende përfshirë Shqipërinë me 89 ushtarë.

Në përbërjen aktuale, më së shumti ushtarë kanë Italia, rreth 850; pastaj Turqia, 780 sish; SHBA-ja rreth 680, përcjellë nga Hungaria, Austria, Polonia, Kroacia e me radhë.

Numri dhe pjesëmarrja më e gjerë në misionin e KFOR-it ishte më 1999, kur kjo forcë paqeruajtëse numëronte rreth 50 mijë ushtarë me 39 shtete anëtare dhe jo-anëtare të NATO-s.

Më 2008, ky mision kishte rreth 14 mijë ushtarë dhe numri i tyre u reduktua vit pas viti pas shpalljes së pavarësisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA