Blinken: Të ulen tensionet në veri, palët t’i kthehen dialogut

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet në veri të vendit.

Duke dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe veprimet përshkallëzuese në veri të Kosovës, Blinken ka apeluar të dyja palët që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve… Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Blinken.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi që kryetarët e komunave veriore të kryejnë punën nga lokacione alternative dhe të tërheqin policinë. Ndërkohë që ka apeluar edhe Serbinë, gjegjësisht Vuçiqin që të ulë statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të përmbahen nga dhuna.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, ka thënë ai.

Serbët në veri janë duke protestuar që nga e premtja.

Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA