Përgatiti: Krenare Mulliqi
Në kuletën e saj ka mbi 2 mijë dinarë, por me këto të holla nuk po arrin të bëjë asnjë pagesë.
Slavica Sretenovic thotë se asnjë biznes në komunën e Graçanicës nuk po pranon të kryejnë pagesë në valutë tjetër, përveç euros.
“Ka disa ditë që përdorim vetëm euro, dinarin s’po e pranon askush, as në dyqane, as për pagesa. Pensioni e kam marrë në euro”, tha Sretenovic.
Derisa në këtë komunë pagesat po realizohen vetëm me euro, banorët janë të shqetësuar për pensionet, të cilat, sipas tyre, i marrin në dinar.
“Dinarët më nuk po i pranon askush andaj po përdorim vetëm euro. Pak është e zorshme sepse ku t’i gjejmë eurot nëse pensioni më del në dinarë?!”, tha Verica Rankovic, banore e Komunës së Graçanicës.
Një prej ideve që po përmendet si zgjidhje për çështjen e dinarit është licencimi i një banke serbe në Kosovë.
“Ekziston një ide që një pjesë e Postës e Serbisë do të ndërrojë adresën në postën e Kosovës a banka tjetër do të kërkojë licencën për punën në Kosovë, tash i kemi komunitetet shumë të ndryshme e kemi komunitetin e pensionistëve kemi komunitet që kanë pronë në Serbi që janë duke pagur tatim nga këtu”, tha Branislav Krstic, gazetar.
Ndërkaq, sipas ekonomistit Besnik Avdiaj, ka filluar vetëdijesimi te komuniteti serb që jeton në Kosovë, se ata duhet t’iu përshtaten politikave të institucioneve vendase.
“Qytetarët serbë në Kosovë kanë filluar ta kuptojnë efektin që po e ka politika e Serbisë, të cilat janë plotësisht në kundërshtim me zhvillimin dhe avancimin e tyre në Kosovë dhe ata e kanë parë që institucionet tona, shoqëria jonë është rruga e duhur për ta dhe jetën e tyre”, tha Avdiaj.
Për të gjetur një zgjidhje për përdorim të dinarit, të mërkurën është mbajtur sërish një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak.
Mirëpo, takimi maratonik përfundoi pa një marrëveshje.