Përgatiti: Benita Zeneli
Ka rreth 8 muaj që Kosovës iu vendosën masa nga Bashkimi Evropian për shkak të eskalimit të situatës së sigurisë në veri.
Por, për largimin e tyre sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi janë përmbushur obligimet.
“Me gjasë ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar të komunave në zyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë”, tha Bislimi.
Megjithatë që BE-ja t’i vendos masa Serbisë, pret një raport final nga institucionet hetimore kosovare, ndonëse një raport 48 faqesh të përpiluar nga ekzekutivi i është dërguar Bashkimit Evropian.
“Por raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që Prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestim për Radojçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut”, tha Bislimi.
Ai shtoi se më 30 janar në Prishtinë do të vijë dikush nga Brukseli e që temë diskutimi do të jenë edhe masat.
Megjithatë raportimi i Bislimit në Komisionin për Integrime Evropian nuk kaloi pa përplasje.
Në rend dite në komisionin ishte edhe shqyrtimi i disa projektligjeve të cilat u prezantuan nga zëvendëskryeministri por për të cilat nuk pati vendimmarrje.