Besim Kelmendit i refuzohet kërkesa për masën e sigurisë dhe rikthimin si U.D. Kryeprokuror i Shtetit

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi Gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, të parapara në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.
Reklamë
Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Flakron Sylejmani, Besim Kelmendi kishte paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, dhe njëkohësisht kishte kërkuar: Pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, si masë të përkohshme sigurie dhe rikthimin e tij në detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen meritor dhe përfundimtare të gjykatës.
Kelmendi pretendonte se vendimi i KPK-së ishte marrë pa kuorum dhe pa respektim të procedurave ligjore, gjatë një takimi të dytë të mbajtur më 20 nëntor. Sipas tij, shkarkimi i tillë i shkaktonte dëm të rëndë, të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm, përfshirë dëm reputacional dhe profesional, dhe krijonte pasiguri institucionale në udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit. Ai argumentonte se pezullimi i vendimit nuk cenonte interesin publik, por përkundrazi e mbronte sundimin e ligjit.
Reklamë










