Mbrojtësi francez Benjamin Pavard ka kompletuar kalimin e tij nga Interi te Olympique Marseille, në një marrëveshje huazimi me mundësi blerjeje për rreth 15 milionë euro.
28-vjeçari ishte lidhur me disa klube gjatë verës, përfshirë Galatasarayn dhe Tottenham Hotspur, por në fund vendosi të rikthehej në Francë, duke iu bashkuar skuadrës së Roberto De Zerbit në minutat e fundit të merkatos.
Marseille do të mbulojë tërësisht pagën e Pavard gjatë sezonit, ndërsa opsioni i blerjes mbetet i vlefshëm për verën e ardhshme.
Interi kishte paguar 31.4 milionë euro për të marrë mbrojtësin nga Bayern Munich në vitin 2023. Gjatë periudhës me zikaltërit, ai regjistroi 70 paraqitje zyrtare, me një gol dhe katër asistime.
Në anën tjetër, për të zëvendësuar Pavard, Interi ka afruar Manuel Akanjin nga Manchester City në formë huazimi njëvjeçar, me opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh. Klubi italian do t’i paguajë Cityt 1 milion euro për huazimin, ndërsa opsioni mund të shndërrohet në detyrim nëse Interi arrin të fitojë Scudetton.