Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres së Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku dyshohet për veprën penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në cilësinë e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK bëri të ditur se Balluku është njoftuar për akuzën më 31 tetor, ndërsa hetimet kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, konkretisht për seksionin rrugor Orikum-Himarë.
Kjo procedurë ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, sqaroi SPAK.
Zëvendëskryeministrja ishte njoftuar për hetimet më 21 tetor, ndërsa ishte ftuar që të paraqitej para SPAK-ut më 31 tetor në orën 15:00.
Pas daljes nga ndërtesa e SPAK-ut, Balluku u ndal shkurt para mediave, duke deklaruar:
“Si qytetare e Republikës dhe si një zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplot se do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj.”
Ajo nuk pranoi pyetje nga gazetarët.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u pyet për rastin e Ballukut, por zgjodhi të mos komentojë, duke thënë:
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast… deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykatat popullore, politike dhe mediat që i shërbejnë politikës.”
SPAK, që u krijua në dhjetor të vitit 2019, ka hetuar disa ish-zyrtarë të lartë, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta ndodhet në paraburgim, ndërsa Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të kaluar.







