Biznesmeni dhe politikani i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me hetimet që po zhvillohen për projektin e aeroportit të Vlorës.
Pacolli ka qëndruar për rreth katër orë në ambientet e prokurorisë, ku është marrë në pyetje në lidhje me mosmarrëveshjet mes aksionarëve të përfshirë në projektin e aeroportit.
Në prononcimin e tij për gazetarët pas daljes nga Prokuroria, Pacolli tha se është paraqitur për të dhënë dëshminë si person i informuar, duke theksuar se “aeroporti i Vlorës do të bëhet”.
“Unë isha këtu për të dhënë dëshmi lidhur me përgjigjen penale që ne kemi parashtruar. Si person i informuar, më është dukur e drejtë të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne i jemi përgjigjur atij kallëzimi. Gjithashtu, isha këtu për kallëzimin që vëllai im ka bërë ndaj disa personave që ju e dini ndaj kujt, dhe unë erdha për të plotësuar informacionet për këtë çështje,” deklaroi Pacolli.
I pyetur nëse ka pasur takime me kryeministrin Edi Rama në lidhje me këtë çështje, Pacolli mohoi çdo përfshirje të qeverisë shqiptare.
“Këtu nuk ka të bëjë asgjë qeveria. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria. Unë e kam lënë gjithçka në duart e drejtësisë dhe besoj shumë në vendimet gjyqësore. Do të veproj vetëm sipas vendimeve të drejtësisë,” tha ai.
Projekti i aeroportit të Vlorës, një ndër investimet strategjike më të mëdha në jug të Shqipërisë, është përfshirë kohët e fundit në debat për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore mes aksionarëve dhe kompanive të përfshira.


 
                                     
    




