Bëhen homazhe në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova

Përgatiti: Donisa Fazliu

Që në orët e hershme të mëngjesit, kanë filluar të bëhen homazhet te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 18-të, të vdekjes së tij.

Kurora lulesh te varri i Rugovës, vendosën Presidentja, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa u vizitua edhe familja e ishpresidentit.

“Presidenti Rugova arrit në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhet Kosovës. Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecnim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovës të pavarura, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, tha Osmani.

“Bashkë me presidenten Osmani dhe me kolegë të tjerë nga institucione të shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i presidentit Rugova i cili është edhe presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kjo Republikë është Republikë për rezistencë ndaj okupimit të Serbisë në Kosovë por edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Sot në 18 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës”, tha Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me bashkëpunëtorë megjithatë ishin të parët që shkuan për homazhe.

“Në këtë 18-vjetor të dhimbshëm ne vetëm ndjejmë dhimbje për humbjen dhe mungesën e tij, por rikujtojmë edhe me nder të madh, mundin, përpjekjen dhe mënyrën e të bërit politikë të tij. Projekti tij i një Kosovë të pavarur dhe sovrane të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me ShBA-në është projekt i yni edhe sot”, tha Abdixhiku.

Homazhe bënë edhe ambasadorë të huaj në Kosovë. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ndonëse nuk u deklarua për media, përmes platformës, X, tha se “Trashëgimia e Presidentit Rugova – ajo e një lideri që avokoi për rezistencë paqësore duke kërkuar të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët – është një frymëzim këtu në Kosovë dhe në mbarë botën.”

Gjithashtu edhe përfaqësuesit e partive politike në vend, përmes postimeve në rrjetet sociale, kanë kujtuar ish-Presidentin Rugova.

Ish-Presidenti Rugova, është kujtuar edhe nga liderët e Shqipërisë.

Ish-presidenti Ibrahim Rugova, pas një sëmundje të rëndë, vdiq më 21 janar 2006.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA