Përgatiti: Arian Hajdaraj
Njësi të shumta policore siguruan perimetrin në Pallatin e Drejtësisë, ku do silleshin Bedri Krasniqi e Alban Dizdari, për t’u shpallur fajtor, ose për t’u liruar nga akuza për vrasjen e policit të UNMIK-ut dhe atij të Kosovës, para 19 vjetësh.
Të shumtë ishin edhe familjarët që prisnin t’i shihnin të akuzuarit.
Pritja mbaroi. Dizdari e Krasniqi hynë brenda.
Ndërkaq, gjykatësi nuk e vonoi shpalljen e vendimit që ishte lirues për Krasniqin, e dënues për Dizdarin.
Sipas gjykatës, dëshmia e Shkumbin Mehmetit, të dënuarit për vrasjet e 23 marsit 2004, që implikon Bedri Krasniqin ishte e pabazë.
“Dëshmia e Shkumbin Mehmetit, ishte kontraverse. Ka pranuar implikimin e Bedri Krasniqit vetëm për zbutje të dënimit…”, tha gjykatësi, Arben Hoti.
Ndërsa, 8 vitet e burgut për Dizdarin, gjykatësi Hoti i arsyetoi, kështu:
“Alban Dezdari dënohet me 8 vite për ndihmë në kryerjen e veprës penale…”, tha gjykatësi, Arben Hoti.
Familjarët e Bedri Krasniqit iu gëzuan këtij vendimi.
“Më në fund drejtësia mori vendim të drejtë…”, tha Sylë Krasniqi, vëlla i Bedri Krasniqit.
Një vendim të tillë e priste edhe avokatja.
Megjithatë, Bedri Krasniqi u kthye sërish në burg.
Pejani do ta vuajë dënimin për pjesëmarrje në vrasjen e para dy dekadave të dy policëve të Kosovës, në vitin 2003, si dhe për një kidnapim 7 vjet më vonë, ku për të dy rastet është i dënuar me afro 40 vjet burgim.
41-vjeçari ishte arratisur nga burgjet nëpër Kosovë, derisa për të fundit herë u arrestua në dhjetor të vitit 2012, në fshatin Turjakë të Pejës.