Përgatiti: Fatlum Jashari
Drejt venitjes është shpresa që shtetit t’i kthehen 42 milionë euro të shpenzuara për mbulimin e humbjeve, si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në katër komunat më shumicë serbe në veri, në periudhën Tetor 2022-Dhjetor 2023.
Edhe pse i kishte kërkuar Rregullatorit për Energji që të mos ia tërheqë licencën Elektroseverit – përkundër dështimit në përmbushjen e obligimeve dhe afateve të parapara në Udhërrëfyesin për Energji – Bashkimi Evropian konsideron se nuk ka asnjë detyrim ndaj Kosovës.
“Nuk shohim asnjë bazë ligjore për këtë. Bashkimi Evropian qëndron gati të adresojë shqetësimet e ngritura nga palët në dialog gjatë takimeve të kryenegociatorëve”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Të hënën, qeveria nuk dha asnjë koment për këtë qëndrim të BE-së.
Në një intervistë për ATV-në vitin e kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte treguar se fjalën për kompensim të dëmit, në këmbim të mos-tërheqjes së licencës, ia kishte dhënë Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak.
“Që nga momenti kur Elektroseveri ka qenë i supozuar të grumbullojë tarifat, Janë 42 milionë euro, të cilat i konsiderojmë si borxh të Bashkimit Evropian, për arsye se në Tetor të vitit 2022, kur ka qenë afati për tërheqje të licencës për Elektroseverin, kërkesa për mos-tërheqje ka qenë nga Bashkimi Evropian me idenë që BE-ja, dikush nga BE-ja, të përpiqet të gjejë fonde. Kjo është bërë në zyrën e z. Lajcak”, kishte deklaruar Bislimi.
Nga 1 Janari 2024, Elektroseveri mori përgjegjësinë e plotë për furnizim, respektivisht, faturimin e energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Megjithatë, niveli i pagesës deri tani lëvizë vetëm ndërmjet 15 dhe 20%. Ndërsa matësit e mençur të konsumit kanë filluar të vendosen tek në dy muajt e fundit.
Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në këtë pjesë të vendit llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.