​BE në Kosovë mban konferencë për edukimin mediatik, diskutohet për rolin e gazetarisë konstruktive

“Gazetaria konstruktive: Fuqizimi i shoqërive të informuara dhe rezistente” ka qenë tema e konferencës për edukimin mediatik, e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Në konferencën gjithë ditore në Prishtinë u diskutua për rolin e gazetarisë konstruktive, për lajmet sensacionale dhe tranzicionin në media digjitale. Diskutimi në dy panele të ndara fokusoi sfidat me të cilat përballen mediat, duke përfshirë ndikimin e rrjeteve sociale, mungesën e kontrollit mbi lajmet e rreme dhe presionin politik ndaj mediave. Para pjesëmarrësve të mërkurën në konferencë pati edhe adresime inspiruese nga gazetarë të dëshmuar.

Bashkimi Evropian është i zotuar që të ndërtojë një peisazh mediatik të fortë, fuqishëm dhe llogaridhënies, u shpreh shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

“Kemi parë narrativa të dëmshme të cilat theksojnë ndasitë dhe i japin zjarr këtyre në rajon por edhe më larg. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian bashkë me partnerët është e zotuar që të ndërtojë një peisazh mediatik qe është i fortë, i fuqishëm dhe llogaridhënies. Në BE kemi ndërmarrë një qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar dezinfomimin. Ne jemi sy hapur ndaj fushatave të tilla të dezinformimit dhe të sigurohemi që narrativat e rreme të përballen me fakte”, deklaroi Orav.

Ai foli edhe për rëndësinë e programeve të edukimit mediatik dhe sistemeve të verifikimit të fakteve, për çka konsideroi se fuqizohen edhe qytetarët.

Edukimi mediatik është i integruar në kurrikulën shkollore, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Edukimi mediatik është i integruar në kurrikulën tonë shkollore, me qëllim të orientimit të drejtë të fëmijëve dhe imunizimit të tyre ndaj manipulimeve potenciale dhe jo etike. Në këtë kuadër edhe digjitalizimi është ndër mënyrat optimale për të adresuar këtë çështje. Andaj përveçse ka adresuar si strategji e arsimit, jemi në finalizim të përmirësimit të shërbimeve të cilësisë ne arsim, në përputhje me trendet e arsimit digjital në tërë botën”, deklaroi Nagavci.

Konferenca e Bashkimit Evropian për edukimin mediatik vijoi me panelin me temën “Gazetaria konstruktive: Formësimi i narrativave të së nesërmes”. Mediat në Kosovë e rajon theksuan sfidat me të cilat po përballen, duke përfshirë ndikimin e rrjeteve sociale, mungesën e kontrollit mbi lajmet e rreme dhe presionin politik ndaj mediave.

Kryeredaktori në “Alsat-M”, Admir Qose nënvizoi mungesën e kontrollit mediatik në mediat e Maqedonisë se Veriut.

“Kemi shumë lajme dhe shumë operatorë të mediave dhe herën e fundit kanë qenë rreth 345 të regjistruara, duke i përfshirë edhe portalet. Shumica prej tyre nuk janë pjesë e mediave, nuk ka ndonjë kontroll mbi to dhe raportojnë çfarë të duan”, ka thënë kryeredaktori në “Alsat-M”, Admir Qose.

Për ndikimin e rrjeteve sociale në gazetarinë kosovare foli anëtari i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Besnik Velija.

“Vitet e fundit në Kosovë ka pasur shumë lajme për krizën e cila është ende në vijim në pjesën e veriut dhe për shkak të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kemi shumë lajme që kanë të bëjnë me krizën dhe konfliktin e mundshëm pjesën veriore te Kosovës. Unë mendoj që gazetaria konstruktive është tejet e rëndësishme në këtë kohë në Kosovë dhe veçanërisht mund ta përdorim si një mjet kur raportojmë për krizën në veri të Kosovës dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë “, u shpreh ai.

Anida Sokol, e cila është redaktore dhe studiuese në Mediacentar në Bosnje Hercegovinë, foli për ndikimin e pushtetit tek mediat dhe mungesën e burimeve financiare.

“Kemi parë që besimi i audiencës është polarizues. Dhe po ballafaqohemi me popullizmin anti-media dhe ndërhyrje politike në media dhe mungesë të burimeve financiare. Dhe kjo është ajo se si punojnë mediat lokale, ku bazohen me se çfarë bën presidenti”, theksoi ajo.

Për tranzicionin e zhvillimin e medias u fol në panelin e dytë të konferencës së organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Gjatë pandemisë na është dashur që të pushojmë shtypin e gazetës për shkak te masave dhe asnjëherë nuk jemi rikthyer. Dhe kjo ishte e dhimbshme për neve qe jemi si nostalgjik dhe subjektiv dhe që nuk e kemi në dorë gazetën dhe nuk ja marrim erën. Diçka që është e rëndësishme është qe të mos e humbim rëndësinë që e kemi ndaj Kodit të Etikës dhe parimeve të gazetarisë”, tha kryeredaktorja në Grupin Koha, Brikenda Rexhepi.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Albanian CenterMediaLook” në Shqipëri, Ervin Luku tha se armiku kryesor i shtypit është koha.

“Armiku kryesor i shtypit të shkruar ishte vet koha. Ishte vet koha sepse për të publikuar një lajm të ri në gazetë do të duhej te prisje të paktën 24 orë për shkak të sistemit dhe mënyrën se si funksionon gazeta. Çka do të thotë se vetëm ky fakt e nxjerrte jashtë loje gazetën dhe dikush u tregua i shkathtë dhe arriti të rishpikte vetveten. Pra të përshtatej nga gazeta print të kalonte në sistemin online”, tha ai.

Në sesione të ndara, Thomas Gam Nielsen nga Instituti Danez për gazetari konstruktive dhe Haris Avdić Pejoćic nga Task Forca e Ballkanit Perëndimor të shërbimit evropian të veprimit të jashtëm para pjesëmarrësve kanë dhënë mesazhet e tyre për gazetari konstruktive.

Në këtë konferencë janë prezantuar edhe biseda inspiruese nga themelues të mediave.

Në këtë konferencë janë mbajtur edhe biseda inspiruese nga themelues të mediave. Albana Jashanica, nga media “Katror” dhe Mite Kuzevski, nga “Vidi Vaka”, ndanë përvojat e tyre me pjesëmarrësit, duke treguar sfidat dhe sukseset e tyre si themelues të platformave mediatike.

Në mbyllje të kësaj konference gjithë ditore, zëvendëshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova u bëri thirrje pjesëmarrësve të reflektojnë mbi çështjet e diskutuara gjatë ditës.

“Kërkoj që të reflektoni për ato që dëgjuam sot. Misioni i BE-së në Kosovë është qe të përkrahim rajonin si dhe të fuqizojmë shoqëritë reziliente dhe të shohim se si gazetari konstruktive mund të kontribuojë këtu dhe si mund të ndryshojë kundër sensacionit të cilat u theksuan sot gjatë gjithë ditës”, tha ajo. /kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA