Përgatiti: Fatlum Jashari
Tri ditë pas, Bashkimi Evropian përfundimisht e cilësoi terrorist sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos një polic dhe u lëndua një tjetër.
Duke i vlerësuar si shumë serioze ngjarjet e së dielës, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, tha se sulmi terrorist përbën “ndryshim shumë, shumë të rëndësishëm të situatës”.
Pa dhënë detaje për takimin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në të cilin u raportua se disa nga shtetet anëtare kanë kërkuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë, Stano tha se do presin rezultatin e plotë të hetimit nga Kosova.
“Ne merremi me situata reale. Tani kemi një situatë ku është kryer një sulm terrorist në territorin e Kosovës, në veri. Policia e Kosovës është duke kryer hetim, misioni i EULEX-it është duke e mbështetur Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë bazuar në nevojat dhe kërkesat nga Policisë së Kosovës. Ne duhet të shohim këto hetime. Bazuar në këto hetime do të vendosim, shtetet anëtare do të vendosin, dhe do të ndërmarrin hapa të mëtejmë”, tha Stano.
Pavarësisht video-dëshmisë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojicic, i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, u printe grupit terrorist, Stano tha se BE-ja nuk do të nxitohet për të konkluduar lidhjet dhe përfshirjen, e rrjedhimisht shkeljen eventuale të marrëveshjes bazë së Brukselit.
“Kur të kemi një fotografi të qartë nga hetimi për atë se çfarë ka ndodhur, kush ishte pas, kush është përgjegjës, pastaj do të ndërmarrim hapat apo pasojat e nevojshme. Në këtë fazë është e rëndësishme të qartësojmë të gjitha faktet, rrethanat, të gjitha dhe të sigurohemi ata që janë përgjegjës të japin llogari. Por, nuk do të kërcejmë për të nxjerrë përfundime bazuar në një video apo në diçka të postuar këtu apo atje. Hetimi duhet të bëhet plotësisht dhe të përfundohet plotësisht, që Bashkimi Evropian të ketë të fotografi të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës dhe pastaj mund të flasim për pasojat”, tha Stano.
Pa paragjykuar rezultatet e hetimit dhe diskutimet brenda BE-së, zëdhënësi Stano tha se u takon shteteve anëtare të vendosin nëse do të ketë masa ndaj Serbisë, në çfarë niveli dhe nëse diçka e tillë do të bëhet me vendim formal.