Bashkimi Evropian ka parë me shqetësim të madh operacionet e Policisë së Kosovës gjatë javës në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë, në Prishtinë.
Kështu thuhet në një deklaratë të lëshuar sot nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE.-së (EEAS), ku theksohet se mbyllja e papritur e këtyre zyrave, do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.