Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me tekstet që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e tetë, në të cilin kishte informacione të pasakta. Nga BDI thonë se ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës.
“BDI shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht”.
“BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore”, thonë nga BDI.
Në fund thonë se do të ndjekin këtë çështje deri në korrigjimin e plotë dhe sqarimin institucional, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.






