Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj masës së subvencionimit të faturave të energjisë elektrike nga qeveria në detyrë, duke e cilësuar atë si “hipokrizi, korrupsion dhe gënjeshtrën më të madhe të qeverisë”.
Sipas saj, masa e prezantuar si ndihmë për qytetarët nuk ka pasur efekt real në lehtësimin e barrës financiare të familjeve, por ka shërbyer për të favorizuar tregtarët e energjisë me të cilët, siç pretendon Bajrami, qeveria ka lidhje të ngushta.
Ajo ka theksuar se një familje mesatare që në tetor të vitit 2019 ka paguar 54 euro për energji, në tetor të vitit 2025 ka paguar 169 euro, duke e cilësuar këtë si rritje prej rreth 300%. Për të ilustruar këtë, Bajrami ka bashkangjitur edhe dy fatura – një nga tetori 2019 dhe një nga tetori 2025.
Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë ka goditur edhe bizneset prodhuese, duke bërë të ditur se çmimi për një megavat (mWh) brenda një viti është rritur nga 75 euro në 206 euro.
Postimi i plotë:
”Subvencionimi i faturave të energjisë”
Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie
Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.
Çfarë hipokrizie!
Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro. A e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka pagu 169 Euro. dmth. 300% më shumë, e tash kishin ”ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve”.
Por, pos ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 300%, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MWh që tetorin e vitit të kaluar e kanë pagu 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro.
Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se derisa Kosova për vitet 2015-2020 ka importu 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit 2021 – shtator 2025 ka arritur në 811 milionë Euro.
A po e shihni mashtrimin?
Ani “po ju subvencionojmë faturat”
Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë (krejt kjo lehtë e faktushme)







