Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Komonuelthi i Bahamas e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e saj.
Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi se marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në kryeqytetin e Bahamas, në një takim me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, ka deklaruar Presidentja Osmani, duke e cilësuar këtë hap si një sukses të madh diplomatik për Kosovën.
Në deklaratën e përbashkët, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës konfirmojnë njohjen reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Marrëdhëniet diplomatike hyjnë në fuqi nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.
Të dyja palët riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Po ashtu, ato shprehin gatishmërinë për ta zhvilluar bashkëpunimin mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
Sipas deklaratës, Kosova dhe Bahamas synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, bashkëpunimi në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve.
Të dyja shtetet kanë mirëpritur ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili pritet t’u shërbejë interesave të qytetarëve të të dy vendeve dhe të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.






