Përgatiti: Armand Hoti
Mënyra si trupi gjykues po e pyet dëshmitarin Sylejman Selimi, nuk po i pëlqen fare avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Edhe vetë Kadri Veseli, reagon duke u ngritur në këmbë për të komunikuar me ekipin e tij të mbrojtjes.
Avokati ankohet se gjykatësi nuk po e ruan paanshmërinë me pyetjet që po bën, gjatë seancës së të enjtes.
“Këto nuk janë pyetje sqaruese, por janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues, prandaj kjo është që e kemi trajtuar në mocionin tonë, këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësuese”, deklaroi Dixon.
Ekipet mbrojtëse madje kanë paraqitur mocion për të kërkuar paanshmëri nga trupi gjykues, në fund të nëntorit. Por kryetari i trupit, Charles Smith III, thotë se marrja në pyetje vazhdon me të njejtën metodë.
“Vendimi ynë është që do të vazhdojmë me pyetje në formën siç e kemi bërë. Pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje lidhur me çdo temë të mundshme”, deklaroi Smith III.
Megjithatë, Dixon insiston të marrë përgjigje.
“Po unë po them që në mocionin tonë të garantohen të drejtat e të akuzuarve dhe të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor. Po theksoj edhe një herë që sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje që po përdoren si bazë nga gjykatësit në përfundimet e tyre”, tha Dixon.
Një ditë më parë, edhe Hashim Thaçi, reagoi duke u ngritur në këmbë në seancën ky po dëshmonte Sylejman Selimi.
Së fundmi, përmes një letre, katër të akuzuarit, kanë kërkuar nga gjyqtarët që të mos e mbështesin vetëm njërën palë, por të kontribuojnë në zbardhen e së vërtetës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: