Përgatiti: Armand Hoti
Rruga “Dëshmorët e Kombit”, sipas Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, është në top-treshen e rrugëve më të ndotura të kryeqytetit. Në baza ditore këtë rrugë e frekuentojnë mijëra automjete, por edhe këmbësorë.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre automjeteve si derivat e përdorin naftën e cila kur digjet liron ndotës: Dyoksidin e Azotit. Në hulumtimin e kësaj organizate të quajtur “NO2- kërcënim serioz për shëndetin e njeriut” rezulton se automjetet dizel janë ndër ndotësit kryesorë në kryeqytet.
“Ky është një vrasës i padukshëm që lirohet nga automjetet tona… Tek kontrolli teknik këto automjete dizel do duhej të ndaloheshin”, tha Arben Lila nga KADC.
Kurse, sipas ekspertëve në panel, thithja e ajrit të ndotur bart pasoja shëndetësore serioze.
“Tani jemi shumë zëra që mund ta themi njëzëri se ndotja ndikon në sistemin respirator dhe sisteme të tjera”, tha Antigona Dervishaj nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërkohë, komuna e Prishtinës është angazhuar në përpilimin e një strategjie, përmes së cilës synohet të përmirësohet cilësia e ajrit në Kryeqytet.
“Është një plan pesëvjeçar që do të paraqesë aktivitete që pritet të ndikojnë në cilësinë e ajrit, të cilat do të mundemi t’i implemetojmë gjatë kësaj periudhe. I kemi të ndara shtatë paketa, ndër të parat është trafiku rrugor” tha Letafete Latifi nga Komuna e Prishtinës.
Gjatë pushimeve verore, cilësia e ajrit për shkak të shtimit të veturave ishte akoma më e dobët e pos kryeqytetit, referuar hulumtimit, edhe Ferizaj, Prizreni dhe Obiliqi përballen me cilësi të dobët të ajrit.