Skuadra e Atletico Madrid ka depozituar një ankesë zyrtare pranë UEFA-s, pas një incidenti të pazakontë që ndodhi pas stërvitjes së fundit në stadiumin “Emirates” në Londër.
Sipas mediave spanjolle, lojtarët e ekipit të Diego Simeones nuk kanë mundur të përdorin dushet në dhomat e zhveshjes, për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë.
Zyrtarët e klubit madrilen e kanë njoftuar menjëherë stafin e Arsenalit për problemin, por ndërhyrja për zgjidhjen e situatës ka ardhur me vonesë. Në atë moment, trajneri Simeone kishte urdhëruar që skuadra të largohej menjëherë nga stadiumi, pa pritur rregullimin e çështjes.
Ky incident është përfshirë në një raport zyrtar të dërguar në UEFA, ku Atletico kërkon sqarime lidhur me standardet e pritjes së ekipeve mysafire në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Ngjarja ka ndodhur një ditë para supersfidës Arsenal – Atletico Madrid, që zhvillohet sonte në Londër nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV