Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Greqia po sillet në mënyrë joevropiane sa i përket qëndrimit të saj për të bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimit Evropian të Shqipërisë duke e kushtëzuar atë me çështjen Beleri.
Në një konferencë për mediat, Rama tha se çështja e Fredi Belerit është një problem midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe nuk ka pse transferohet në tryezën e Brukselit.
“Çështja e vështirësisë që krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale në tryezën e BE-së. Ka një sensibilizim të vendeve me eksperiencë, lidhur me faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e BE-së krijojnë pengesa të paarsyeshme. Sepse çështjet bilaterale duhet të zgjidhen midis dy vendeve dhe është e pakuptueshme dhe është e paarsyeshme në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata dhe hyn në një fazë përfundimtare të shtet-bërjes evropiane duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE të pengohet apo vonohet sepse ka një çështje bilaterale,” tha Rama.
Sipas Ramës, Athina po krijon një pengesë që jo vetëm nuk është evropian por nxjerr në pah një mentalitet ballkanik. Ndërsa nënvizoi se Shqipëria nuk e sheh anëtarësimin në BE të lidhur me nivelin e raporteve me Greqinë.
“Mbase do të ishte e kuptueshme që kur të ishte vetëm vota për t’u anëtarësuar atëherë mund të thotë; jo unë s’jam dakord! Por kjo pengesë është jo vetëm e paarsyeshme dhe jo evropiane në frymë. Në raport mes dallimit aktual mes nesh dhe Greqisë kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që ne duhet trajtojmë mes nesh. Për sa na takon ne si Shqipëri nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave as me përmbajtjen e raporteve tona me Greqinë. Ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan dhe jo një shtet ballkanik në BE”, tha Rama. /RTSH