Dy persona janë arrestuar në Prizren pasi dyshohen se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një tjetri.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 15:00 dhe është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Dhunë në familje”.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit i kanë demoluar disa vila dhe shtëpinë ankuesit mashkull kosovar. Vlera e demit raportohet të jetë e lartë”, thuhet në raportin e Policisë.
Tutje, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar: dy pushkë gjuetie, 105 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një thikë, një shufër metalike, tre karikator dhe një automjet.
Bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.