Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka folur për mediat në prag të përballjes së madhe ndaj Arsenalit, duke hedhur poshtë spekulimet që lidhen me afrime të reja gjatë afatit kalimtar të janarit.
Pas lëndimeve të disa lojtarëve kyç, “Reds” janë përmendur shpesh në media si një nga klubet që mund të kërkojë përforcime gjatë merkatos dimërore. Megjithatë, Slot ka theksuar se ka besim të plotë në grupin aktual dhe se nuk sheh nevojë për ndërhyrje të menjëhershme në skuadër.
“Para së gjithash, jam shumë i kënaqur me ekipin që kemi ndërtuar. Ai përputhet plotësisht me vizionin tim, me atë të Richard Hughes dhe të pronarëve të klubit”, deklaroi Slot në konferencën për shtyp.
Tekniku holandez pranoi se dëmtimet nuk janë kurrë një lajm i mirë, por nënvizoi se skuadra ka cilësi dhe thellësi të mjaftueshme kur të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Ai iu përgjigj gjithashtu kritikave për shpenzimet gjatë verës, duke sqaruar se klubi ka vepruar me kujdes dhe inteligjencë në merkato.
“Ne nuk kemi shpenzuar pa kriter. Në fakt, kemi zëvendësuar lojtarë dhe kemi investuar pak më shumë sesa kemi arkëtuar nga shitjet. Ndoshta kjo nuk është vlerësuar më parë, por tani po shihet qartë se kemi afruar lojtarë shumë cilësorë”, shtoi ai.
Slot veçoi edhe ndikimin pozitiv të lojtarëve nga stoli, duke përmendur asistimin e Frimpong në ndeshjen e fundit, si dhe paraqitjet e titullarëve, të cilët i cilësoi si futbollistë të jashtëzakonshëm.
“Nëse të gjithë janë të disponueshëm, ky klub është në një pozicion shumë të mirë, si në afatin e shkurtër, ashtu edhe në atë afatmesëm dhe afatgjatë”, përfundoi trajneri i Liverpoolit






