Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka theksuar sërish se Shqipëria është për të gjithë lojtarët shqiptarë, pa dallim nëse vijnë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.
Së fundmi, kanë lindur shumë polemika pasi disa lojtarë shqiptarë, si Medon Berisha, Adrion Pajaziti, Arbnor Muja, Arbër Hoxha dhe Mirlind Daku, kanë zgjedhur të lënë fanellën e Kosovës për të përfaqësuar “Kuq e Zinjtë”. Megjithatë, strategjia e FSHF-së mbetet e pandryshuar.
Në një intervistë për “TV 21” të Maqedonisë së Veriut, Duka konfirmoi se dyert e Kombëtares shqiptare mbeten të hapura për të gjithë lojtarët shqiptarë:
“Ne kemi hapur dyert për ekipin kombëtar prej vitesh për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë që kemi bërë. Jemi me fat që kemi kaq shumë tifozë jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, por edhe jashtë tyre – në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe më gjerë. Strategjia jonë ka qenë që çdokush që flet shqip, ka dëshirë, talent dhe do të kontribuojë për Kombëtaren dhe flamurin kuqezi, të ketë dyert e hapura.”
Ai shtoi se kjo politikë ka ekzistuar edhe në kohën kur Kosova nuk kishte skuadër kombëtare dhe ishte një urë për të afruar vendin me FIFA-n dhe UEFA-n.
“Do të respektojmë vendimet e lojtarëve për të kontribuar për Shqipërinë apo për ndonjë vend tjetër. Të njëjtën gjë bëjmë edhe tani. Kam bërë të qartë publikisht dhe zyrtarisht Agim Ademi dhe gjithkujt që çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren shqiptare do të ketë mundësinë të bëjë këtë. Nuk mërzitemi nëse ata vendosin ndryshe.”
Duka gjithashtu theksoi raportet e shkëlqyera me Federatën e Kosovës (FFK) dhe bashkëpunimin në të gjitha hapat e zhvillimit, duke ndihmuar edhe kur Kosova nuk kishte ndeshje ndërkombëtare apo mundësi të tjera. /ATVLIVE.TV







