Prokurorët në Kosovë kanë në duar mbi 20 raste në të cilat, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit beson se ka bazë për hetime që ndërlidhen me korrupsionin.
“Këtë vit nuk janë dërguar shumë raste. Nëse nuk gaboj është rreth 20 ose 25 si total sepse jemi kujdesur ose të paktën kemi besuar që ato që dërgojmë janë më mirë të përgatitura dhe ka bazë të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuzë…Këto të gjitha janë në shqyrtim. Nuk e besoj që ndonjëra nga këto që janë dërguar këtë vit ka arritur fazën finale të hetimeve”, tha drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj.
Në prokurori, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dërguar edhe mbi 15 raste për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
Drejtori i kësaj agjencie, Yll Buleshkaj tregon se kanë shqiptuar rreth 100 gjoba për vonesa në deklarimin e pasurisë.
“Kemi rreth 12 mijë zyrtarë publik të cilët janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Nga këta 12 mijë kemi pasur më pak se 100 të cilët nuk e kanë deklaruar në kohë dhe nuk e kemi asnjë që nuk e ka deklaruar brenda afatit shtesë që jep ligji prej 15 ditëve. Kemi pasur rreth 100 gjoba, më saktë 98 gjoba të cilat i kemi shqiptuar për vonesa”, tha Buleshkaj.
Ai thotë se rasti i ministres së Jashtme Donika Gërvalla, e cila u shpall e pafajshme në akuzat për mosdeklraim të pasurisë në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë më kompleks.
“Ne kemi një trend të fundit që është jo shumë pozitiv për ne, ku zyrtarët e caktuar lirohen nga gjyqësori, nga përgjegjësia penale duke u thirrur në një bazë jo të qartë…Ky rast ka qenë pak më kompleks, sepse pasuria që është menduar që nuk është deklaruar plotësisht, nuk ka qenë në Kosovë dhe ka qenë verifikimi i saj jashtëzakonisht i vështirë, nëse jo i pamundur”, tha Buleshkaj.
Dënimet më të larta që i ka shqiptuar Gjykata në rastet e korrupsionit janë rreth 1 mijë e 200 euro dhe dënim me burg me kusht. /atvlive.tv