spot_imgspot_img
spot_img

Ange Postecoglou shkarkohet nga drejtimi i Nottingham Forest pas vetëm tetë ndeshjesh

Trajneri australian Ange Postecoglou është larguar nga posti i trajnerit të Nottingham Forest, vetëm pas tetë ndeshjeve në krye të ekipit. Vendimi u mor menjëherë pas humbjes 3-0 ndaj Chelseat në stadiumin “City Ground”, të shtunën.

Postecoglou, 60 vjeç, u emërua më 9 shtator pas largimit të Nuno Espirito Santos, i cili më vonë mori drejtimin e West Ham United pas ndarjes së këtij të fundit me Graham Potterin.

Gjatë drejtimit të shkurtër, Forest u eliminua nga Kupa e Ligës pas humbjes ndaj Swansea City, ekip i Championship-it, ndërsa në pesë ndeshje të Premier Ligës mori vetëm një pikë. Kjo formë e dobët e la ekipin në vendin e 17-të, vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria.

Bilanci i tij përfshinte gjashtë humbje dhe dy barazime në tetë ndeshje – një nisje që u konsiderua si më e keqja nga një trajner i përhershëm në historinë 100-vjeçare të klubit.

Pavarësisht rezultateve të dobëta, nën drejtimin e Postecoglout, Nottingham Forest u rikthye në arenën evropiane pas 30 vitesh, duke barazuar 2-2 ndaj Real Betis dhe duke humbur 3-2 përballë Midtjylland në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Në disa prej këtyre ndeshjeve, një pjesë e tifozëve shprehën pakënaqësinë, me brohoritjet “do të shkarkohesh në mëngjes”.

Kur u prezantua si trajner i Forest, pronari i klubit, Evangelos Marinakis, e përshkroi Postecogloun si “një person fantastik për të udhëhequr ekipin drejt objektivave madhore”.

Postecoglou iu bashkua Forest-it pas largimit nga Tottenham Hotspur në verën e kaluar. Me Spurs kaloi dy sezone: në të parin përfundoi në vendin e pestë në Premier Ligë, ndërsa në sezonin e dytë fitoi Ligën e Evropës – trofeu i parë i klubit pas 17 vitesh. Megjithatë, forma e dobët në kampionat, me 22 humbje, çoi në shkarkimin e tij në qershor, pasi Tottenham përfundoi sezonin në vendin e 17-të.

Me një karrierë mbi tre dekada në trajnim, Postecoglou ka drejtuar më herët edhe kombëtaren e Australisë (2013–2017), duke marrë pjesë në Kupën e Botës “Brazil 2014”. Ai ka fituar tituj kampion në Japoni me Yokohama F. Marinos dhe në Skoci me Celtic, përpara se të merrte drejtimin e Tottenham në vitin 2023. /ATVLIVE.TV

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA