Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori, këtë herë jo vetëm për trofetë, por edhe për pagesën rekord që merr si trajner i një kombëtareje. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, tekniku italian që drejton Brazilin është trajneri më i paguar në botë, me një pagë marramendëse prej 9.5 milionë eurosh në vit.
Ancelotti, i cili mori drejtimin e “Seleçaos” pas një periudhe të artë me Real Madridin, kryeson listën e dhjetë trajnerëve më të paguar në arenën ndërkombëtare. Pas tij vjen Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë, me një pagë prej 5.9 milionë eurosh, ndërsa podiumi plotësohet nga Julian Nagelsmann i Gjermanisë me 4.9 milionë euro.
Në vendin e katërt ndodhet Fabio Cannavaro, ish-kapiteni kampion bote me Italinë në vitin 2006, i cili tani drejton Uzbekistanin dhe fiton 4 milionë euro në vit – njësoj si Roberto Martinez i Portugalisë.
Kreun e dhjetësheve më të paguar e plotësojnë Didier Deschamps (Francë – 3.8 milionë euro), Marcelo Bielsa (Uruguai – 3.5 milionë euro), Ronald Koeman (Holandë – 3 milionë euro), Gustavo Alfaro (Paraguai – 2.5 milionë euro) dhe kampioni i botës me Argjentinën, Lionel Scaloni, me 2.3 milionë euro në vit.
Kjo listë tregon jo vetëm vlerësimin financiar që kombëtaret u japin trajnerëve të mëdhenj, por edhe ndryshimin e madh që ekziston mes futbollit të kombëtareve dhe atij të klubeve.
Ancelotti, me përvojën dhe sukseset e tij të shumta, shihet si garancia kryesore e Brazilit për të rikthyer lavdinë botërore në Kupën e Botës 2026.







