Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, do të mungojë në ndeshjen e rëndësishme kundër Suedisë, e cila zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Pavarësisht dëshirës së madhe për të qenë në fushë, ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se Rrahmani nuk mund të luajë, për shkak të një lëndimi të pësuar në sfidën ndaj Zvicrës të premten në Bazel, ka njoftuar kështu Federata e Futbollit të Kosovës.
Si rrjedhojë, ai është liruar nga grumbullimi dhe është kthyer në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor.
Qëllimi kryesor mbetet rikuperimi i plotë, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjet e tetorit, ku “Dardanët” do të përballen me Slloveninë dhe sërish me Suedinë.
Ndeshja ndaj Suedisë në Prishtinë do të zhvillohet më 8 shtator, në kuadër të xhiros së dytë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.