Ambasada amerikane për Vulinin: Ne nuk ndërhyjmë në vendimet e personelit të autoriteteve serbe

Ambasada amerikane në Serbi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e autoriteteve në Serbi, teksa e ka komentuar dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vullin.

“Pozicioni ynë për Vullinin është i ditur. Ai është nën sanksione amerikane”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës në kërkesën e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për ta komentuar dorëheqjen e Vullinit.

Ambasada ka thënë se SHBA-ja synon ta thellojë partneritetin me Serbinë, me qëllim të integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Vullin ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të agjencisë së inteligjencës së Serbisë, më 3 nëntor.

“Po e dorëzoj dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e drejtorit të BIA-s”, ka thënë Vullin më 3 nëntor, i cili është në listën e sanksioneve amerikane prej korrikut të këtij viti, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe për përfshirje në trafikim të drogës, si dhe për lidhjet me Rusinë.

“SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë. Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, ka thënë VUllin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka thënë se ka ekzistuar presion prej kur Vullin është emëruar në atë pozitë.

“Ai e di shumë mirë si lëviz dhe çfarë pasoja mund të ketë. Nuk mund të komentoj për të gjitha gjërat për arsyen e thjeshtë se jam i obliguar që të mos flas për këto gjëra”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink më 3 nëntor, duke shtuar se e kupton reagimin e Vullinit.

Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se Vullin nuk është agjent i askujt, përfshirë Rusinë.

Ai i ka thënë Televizionit Pink se dëshiron ta falënderojë Vullinin “për kontributin që e ka bërë për ruajtje të shtetit tonë, për ta bërë atë stabil dhe të pavarur”.

Në dekadën e fundit, Vullin ka mbajtur disa pozita politike, përfshirë atë të kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si dhe në departamente të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme.

Ai ka mbajtur lidhje të ngushta me zyrtarët rusë edhe pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ndonëse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ajo nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës./REL/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA