Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbyllur për publikun shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, për shkak se do të bëhet administrimi i CD-së, e cila vlerësohet si prova kryesore e aktakuzës. Dukagjini mëson se Krivaqa është alivanosur në gjykatore.
I akuzuari për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmani, Dardan Krivaqa është alivanosur në gjykatore.
Pas kalimit në seancë private, kur parashihej të shfaqej CD-ja me video-incizime të pamjeve të rënda të banesës së Dardan Krivaqës, ky i fundit alivanoset në gjykatore dhe merrë ndihmë nga autoambulanca, akoma pa u shfaqur pamjet.
Në seancë nuk po qëndrojnë as prindërit e Marigona Osmanit, të cilët janë shprehur se nuk mund të përballojnë ato pamje.
Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbyllur për publikun shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, për shkak se do të bëhet administrimi i CD-së, e cila vlerësohet si prova kryesore e aktakuzës.
Seanca u mbyll për publikun me propozim të prokurorit Valdet Avdiu dhe avokatëve Arbnora Shefkiu (mbrojtëse e Arbër Sejdiut) dhe Admir Salihu (mbrojtës i Dardan Krivaqës), raporton RTV Dukagjini.
Ndërsa seanca pritet që të hapet sërish pas shikimit të kësaj CD-je.
Kjo pasi avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi që të hyjnë në prova materiale 18 raporte mjekësore, psiqike të familjarëve të Marigona Osmanit që e dëshmojnë gjendjen e rënduar psikologjike të tyre.
“Gjykatësi i dorëzoi 18 raporte mjekësore, psikiatrike dhe psikologjike që tregoi gjendjen e rëndë pas vrasjes së familjares së tyre ndërkaq relevanca e ketyre provave është, meqë kodi penale në mënyrë decidive e citon, te shpallja e dënimit të ketë parasysh edhe pasojat e rënda që janë kryer nga kjo vepër e rëndë. “, ka thënë Rexhepi.
Ndryshe, në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës.
Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.
Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.