Alarmi për përhapjen e fruthit në Kosovë ka bërë që shumë prindër të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve të tyre, duke i vaksinuar me MMR – vaksinë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), deri tani janë regjistruar 23 raste me fruth. Shumica e të prekurve janë fëmijë të pavaksinuar, të moshës nga 1 deri në 2 vjeç.
Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se tashmë këto raste shumica janë shëruar e disa janë në trajtim.
Ai shtoi se rastet e fëmijëve me fruth janë të identifikuara në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Lipjan, Fushë-Kosovë e Prishtinë.
Por, sipas Hotit të IKSHPK-së, ngritja e alarmit për këto raste ka vetëdijesuar prindërit dhe tashmë interesimi për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, është rritur.
Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik siguron prindërit që vaksina MRM është vaksinë e sigurt dhe nuk prodhon efekte anësore tek fëmijët.
Ai bënë thirrje për imunizim të fëmijëve kundër fruthit, pasi siç shtoi Hoti infeksioni me fruth mund të sjell edhe fatalitet.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse infektive, e shkaktuar nga virusi i fruthit. Kjo sëmundje përhapet lehtësisht nga personi në person përmes pikosave të ajrit që lëshohen kur një i infektuar kollitet, teshtin apo flet.
Simptomat kryesore të fruthit përfshijnë: temperaturë e lartë, kollë e thatë, rrjedhje të hundëve, sytë e skuqur dhe të ndjeshëm ndaj dritës, skuqje në lëkurë që fillon zakonisht nga fytyra dhe përhapet në gjithë trupin dhe njolla të bardha në gojë. Viteve të fundit ka një shpeshtim të rasteve të fruthit në gjithë vendin. Kjo ka ardhur si rezultat edhe i mos vaksinimit me vaksinën MMR edhe gjatë periudhës së COVID-19.