Skuadra e Al-Hilal po përgatitet të bëjë një lëvizje të re dhe konkrete për transferimin e Mohamed Salah gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërkohë që situata e sulmuesit egjiptian te Liverpooli po tensionohet dita-ditës.
E ardhmja e Salah është vënë seriozisht në pikëpyetje pas ngjarjeve të fundjavës, kur ai mbeti në stol në sfidën kundër Leeds United në “Elland Road”. Pas ndeshjes, 31-vjeçari foli hapur për mediat britanike, duke deklaruar se “dikush brenda klubit po dëshiron largimin e tij”, dhe duke shtuar se nuk ka “asnjë marrëdhënie” me trajnerin Arne Slot.
Sipas “The Mirror”, Al-Hilal po e konsideron këtë situatë të acaruar si mundësinë ideale për të realizuar një transferim të bujshëm. Sauditët kishin provuar ta merrnin Salah 18 muaj më parë me një ofertë rreth 150 milionë funtesh, por këtë herë besohet se mund ta sigurojnë yllin e Liverpool-it për më pak se gjysmën e atij çmimi.
Raportohet gjithashtu se Salah mund ta ketë luajtur tashmë ndeshjen e tij të fundit për “The Reds”. Trajneri Slot nuk pritet ta përfshijë as në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milanit dhe as në përballjen e Premier Ligës ndaj Brightonit.
Kjo situatë vjen pak ditë para se ai t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës, e cila zhvillohet javën e ardhshme në Marok.
E ardhmja e Mohamed Salah mbetet tejet e paqartë, ndërsa ‘The Reds’ përballet me presion të madh për zgjidhjen e krizës dhe ruajtjen e qetësisë brenda skuadrës. /ATVLIVE.TV







